Sot, më 6 maj 2025, shënojmë 620 vjetorin e lindjes së figurës më të lavdishme të historisë shqiptare – Gjergj Kastrioti, i njohur si Skënderbeu.
Heroi ynë kombëtar lindi në vitin 1405, në një kohë të trazuar për popujt e Ballkanit, por u rrit për t’u bërë simboli i rezistencës, i identitetit dhe i krenarisë shqiptare.
Skënderbeu ishte udhëheqësi që përballoi me guxim dhe mençuri perandorinë më të madhe të kohës – atë Osmane. Për më shumë se dy dekada, ai mbrojti tokat shqiptare me një bashkim të rrallë të princërve shqiptarë dhe me një strategji që mahniti Evropën. Ai nuk ishte vetëm një luftëtar i pathyeshëm, por edhe një vizionar që kërkoi unitet ndër shqiptarë, pa të cilin liria do të ishte e pamundur.
Sot, 620 vjet më vonë, kujtimi i tij mbetet gjallë në zemrat e shqiptarëve, jo vetëm si një pjesë e historisë, por si një frymëzim për të ardhmen. Në një kohë kur shqiptarët kërkojnë të ndërtojnë institucione të forta, drejtësi, dinjitet dhe zhvillim për vendin e tyre, figura e Skënderbeut na kujton se qëndresa, besimi dhe bashkimi janë themelet e çdo fitoreje. / © POPULLI.mk