Faton Ahmeti ka reaguar lidhur me projektin e autostradës Tetovë-Gostivar, pjesë përbërëse e Koridorit 8, duke theksuar se ky projekt strategjik nuk është as ide e as meritë e qeverisë aktuale, e cila sipas tij, “pretendon pa legjitimitet të përfaqësojë shqiptarët”.
Ahmeti kujton se projekti është planifikuar, nënshkruar dhe kontraktuar gjatë mandatit të kaluar qeveritar, përmes një marrëveshjeje me konsorciumin ndërkombëtar Bechtel-Enka, dhe është pjesë e angazhimit të Bashkimit Demokratik për Integrim për zhvillimin infrastrukturor të vendit dhe veçanërisht të zonave me shumicë shqiptare.
“Gurthemeli i kësaj autostrade është hedhur më 4 prill 2023, dhe makineria është në terren që nga ajo ditë. Çdo tentativë për t’u paraqitur sot si ‘gurthemeltarë’ është thjesht manipulim politik dhe mungesë respekti për qytetarët dhe për të vërtetën”, theksoi Ahmeti.
Ai shtoi se BDI do të vazhdojë të mbrojë dhe të realizojë projekte që sigurojnë jo vetëm zhvillim ekonomik dhe mirëqenie për shqiptarët, por edhe dinjitet politik dhe kombëtar. /POPULLI.mk