“Në këtë marrëveshje e kemi specifiku, do të kemi naj zëvendësministër, naj këshilltar ose mbase një ambasador. E kam nënshkru me të nderumin kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin”- tha Dedaj.

Pas pyetjes së avokatit të Hashim Thaçit, Luka Misetiq, nëse marrëveshja përfshinte ndryshimin e deklaratës së tij të dhënë për EULEX-in, Dedaj tha se ky aspekt nuk është i lidhur me temën e diskutuar.

“Kryeministër me më pas ba, President me më pas ba edhe President të Europës me më pas ba, kjo nuk lidhet me këtë pjesën për të cilën jemi këtu”- deklaroi Dedaj.

Mbrojtja e Rexhep Selimit, nën drejtimin e avokatit Eric Tully, ka filluar të paraqesë pyetje ndaj dëshmitarit.

Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Ai ka filluar të hënën dëshminë para trupit gjykues në Hagë ku i është përgjigjur pyetjeve të prokurores dhe mbrojtjes të cilat kishin të bënin kryesisht me ngjarjen që kishte ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.