Megaparku “Oaza e Butelit” tashmë ka mbishkrimin edhe në gjuhën shqipe, por jo falë institucioneve që realizuan projektin. Këshilltarët shqiptarë komunal dhe Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Butel ka ndërhyrë në tabelën hyrëse të parkut, duke vendosur mbishkrimin në shqip, pasi Komuna e Butelit dhe Qyteti i Shkupit fillimisht e kishin vendosur atë vetëm në gjuhën maqedonase, shkruan gazeta KOHA.
Siç shihet edhe në fotografi, krahas mbishkrimit në maqedonisht, në hyrje të parkut tashmë figuron edhe mbishkrimi “OAZA E BUTELIT – KOMUNA E BUTELIT • QYTETI I SHKUPIT”.
Veprimi i këshilltaërve dhe Degës së BDI-së në Butel vjen pas polemikave të ditëve të fundit ndërmjet BDI-së dhe VLEN-it për respektimin e gjuhës shqipe dhe përdorimin e saj në hapësirat institucionale e publike.
Më 3 nëntor, këshilltarët shqiptarë të BDI-së dhe të VLEN-it, kishin dorëzuar kërkesë zyrtare për vendosjen e mbishkrimit në shqip. Madje, këshilltarët e BDI-së, kishin kërkuar ndërhyrjen e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve.
Çështja kulmoi më 13 nëntor në Këshillin e Komunës së Butelit, kur propozimi për vendosjen e mbishkrimit në gjuhën shqipe, i iniciuar nga AKI dhe i mbështetur nga VLEN, nuk arriti të marrë shumicën e nevojshme. Tetë këshilltarët shqiptarë votuan pro, ndërsa 11 këshilltarët e tjerë abstenuan. Pas votimit, këshilltarët shqiptarë të të dyja koalicioneve braktisën seancën në shenjë proteste.
Ndërkohë, për rastin kishte nisur procedurë edhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.
Sipas regjistrimit të vitit 2021, shqiptarët përbëjnë mbi 37 për qind të popullsisë rezidente të Komunës së Butelit, dukshëm mbi pragun ligjor prej 20 për qind që garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në nivel komunal.
Megjithatë, tri javë pas reagimeve të para dhe 11 ditë pas dështimit të propozimit në Këshillin Komunal, mbishkrimin në gjuhën shqipe e ka vendosur vetë Dega e BDI-së në Butel.
Sipas BDI-së, përdorimi zyrtar i shqipes nuk është çështje e vullnetit politik apo e shumicës së disponueshme në këshillat komunalë, por një detyrim ligjor. (koha.mk)

