Deputeti shqiptar nga radhët e LSDM-së, Muhamed Kadriu ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘facebook’ ku është shprehur se nuk është kundër paraleles shqipe në Çashkë, informon POPULLI.mk

Lexoni statusin e deputetit Kadriu:

“Unë, Muhamed Kadriu, deputet shqiptar i “Zonës 3” nga radhët e LSDM-së demantoj spekulimet të cilat kanë qarkulluar në mediume dhe portale të ndryshme se unë jam kundër paraleles shqipe në Çashkë.

Gjithashtu dua të sqaroj për opinionin se ne, shqiptarët e Çashkës, kemi bërë mjaft për hapjen e paraleles shqipe dhe gjithë bashkë deri në fund do të jemi pro hapjes së paraleles. Nxënësit shqiptarë të Çashkës e kanë të drejtë ligjore që të shkollohen dhe të mësojnë në gjuhën amëtare.

Sa i përket asaj që kam thënë nuk ka të bëjë asgjë me atë se çfarë flitet dhe si shtrembërohet deklarata ime. Unë i qëndroj asaj se kompetencat duhet t’i ketë kryetari i komunës së Çashkës dhe bashkërisht me prindërit e nxënësve ta gjejmë një zgjidhje deri në ndërtimin e shkollës së re në Banjicë.

Lus të gjithë që kjo çështje të mos politizohet dhe ky problem të mos shkaktojë problem edhe më të madh, pasiqë humbës do të jenë vetëm nxënësit e pafajshëm!”