Këshilli i Bashkimit Evropian pritet të miratojë sot vendimin për heqjen graduale të tarifave roaming ndërmjet vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, një hap i rëndësishëm që do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta edhe për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Vendimi konsiderohet si pjesë e përpjekjeve për afrimin ekonomik dhe digjital të rajonit me Bashkimin Evropian, duke mundësuar komunikim më të lirë dhe më të përballueshëm për qytetarët, bizneset dhe institucionet.
Për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, kjo nismë do të nënkuptojë ulje të mëtejshme të kostove për thirrjet telefonike, mesazhet dhe përdorimin e internetit gjatë qëndrimit në vendet e Bashkimit Evropian, me synimin final të eliminimit të plotë të tarifave roaming mes dy tregjeve.
Autoritetet evropiane e shohin këtë proces si një tjetër hap konkret drejt integrimit të Ballkanit Perëndimor në tregun unik evropian dhe forcimit të lidhjeve mes qytetarëve të rajonit dhe vendeve anëtare.
Heqja e roamingut është një nga masat më të prekshme për qytetarët, pasi pritet të lehtësojë udhëtimet, shkëmbimet tregtare, aktivitetet turistike dhe komunikimin ndërkufitar. Për Maqedoninë e Veriut, e cila synon anëtarësimin në BE, ky vendim shihet edhe si një sinjal pozitiv për avancimin e bashkëpunimit dhe harmonizimin me standardet evropiane.
Nëse procedurat përmbyllen sipas planit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut në periudhën e ardhshme do të përfitojnë nga kushte më të favorshme komunikimi gjatë lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian, duke iu afruar modelit “Roam Like at Home” që zbatohet tashmë brenda BE-së. përcjell Zhurnal.mk .
