Ligji për Specialen shkon pa ndryshime në seancë plenare
Kuvendi i Kosovës do ta rishqyrtojë Ligjin për Gjykatën Specialen në versionin që miratoi më 6 tetor, por mbetet e paqartë nëse ai do t’i marrë 61 votat e nevojshme për të rrëzuar veton e presidentes Justina Shiroka Pula.
Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit shqyrtoi më 12 nëntor vendimin e presidentes për kthimin e ligjit dhe do t’ia përcjellë çështjen seancës plenare.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, tha në komision se partia e saj, e cila i inicioi ndryshimet në Ligjin për Specialen, ishte pajtuar me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), që përfaqëson shumicën parlamentare, për rimiratimin e ligjit në versionin aktual. Sipas saj, palët kishin interpretime të ndryshme të Rregullores së Kuvendit. PDK-ja konsideronte se teksti mund të ndryshohej gjatë rishqyrtimit, ndërsa shumica parlamentare vlerësonte se ndryshimet nuk lejoheshin në këtë fazë.
“Prandaj, unë dua të bëj të qartë që ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit bashkë me kolegët deputetë të Parlamentit të Republikës së Kosovës”, tha Deliu-Kodra.
Sipas nenit 80 të Kushtetutës, nëse ligji rimiratohet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve, ai konsiderohet i shpallur. Nëse nuk i merr 61 votat, për ta rikthyer çështjen në Kuvend duhet një nismë e re ligjore.
Vetëvendosje e votoi ligjin më 6 tetor, kur miratimi i tij u lidh me marrëveshjen për zgjedhjen e presidentes. Partia më pas i tha Radios Evropa e Lirë (REL) se ka rezerva për efektet e ligjit. Në mbledhjen e komisionit, deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, tha se mbështet një nismë të re ligjore për t’i adresuar shqetësimet që vetë PDK-ja kishte ngritur për tekstin.
Rrustemi tha se grupi i tij parlamentar e sheh strategjinë shtetërore për apelin si rrugën për ta kundërshtuar aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë. Qeveria formoi më 14 tetor një grup punues për hartimin e strategjisë. Grupi, i kryesuar nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, përfshin përfaqësues të institucioneve dhe të grupeve parlamentare. Sipas kryeministrit Albin Kurti, detyra e tij është të bashkërendojë mbështetjen juridike dhe institucionale gjatë apelit.
Edhe kryetari i komisionit, Vigan Qorolli, nga radhët e Vetëvendosjes, tha se PDK-ja ka të drejtë të kërkojë rivotimin e të njëjtit tekst. Por, ai përsëriti kritikat ndaj nismës së miratuar më 6 tetor.
“Do ta përsërisim sa herë që të jetë e nevojshme. Kjo iniciativë ka qenë e ngutshme, juridikisht e pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë”, tha Qorolli.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur PDK-në, e cila kërkoi kthimin e ligjit për rishqyrtim, nëse të gjithë deputetët e saj do ta votojnë versionin e 6 tetorit. REL-i e ka pyetur edhe Lëvizjen Vetëvendosje nëse deputetët e saj do ta mbështesin të njëjtin tekst në seancë plenare. REL-i është në pritje të përgjigjeve nga të dyja partitë.
Presidentja Shiroka Pula i ktheu për rishqyrtim ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale më 22 tetor, me kërkesë të PDK-së.
Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni ka katër javë nga dita kur e pranon ligjin e kthyer për ta përgatitur raportin për seancën plenare. Në mbledhje u përmend 26 tetori si data e njoftimit nga Presidenca. Nëse komisioni e ka pranuar ligjin po atë ditë, afati për raportin përfundon më 23 nëntor.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian (BE), i cili i kishte kundërshtuar ndryshimet, e mirëpriti kthimin e ligjit në Kuvend dhe tha se priste të konsultohej nëse diskutimet rifillonin. Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i kishte cilësuar ndryshimet të papranueshme më 12 tetor, duke thënë se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së. Më 4 nëntor, ajo tha se BE-ja po zhvillonte bisedime me Qeverinë e Kosovës për ndryshimet në ligj.
Çfarë parasheh ligji?
Ndryshimi në Ligjin për Dhomat e Specializuara, i miratuar më 6 tetor, nuk parasheh shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ku janë trajtuar disa raste për krime lufte dhe pengim të drejtësisë.
Megjithatë, ai parasheh ndryshime për disa çështje kyç të funksionimit të gjykatës.
Një nga ndryshimet kryesore në ligjin e miratuar – e që u kthye mbrapsht nga presidentja – ka të bëjë me llojin e veprave që mund të trajtohen nga Specialja.
Ndryshimet parashohin lidhjen e juridiksionit të tyre me pretendimet për trafikim organesh të raportit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 që ishte bërë shkas për krijimin e mekanizmit të drejtësisë në Hagë.
Sipas ligjit, Specialja do të merrej me veprat që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore.
Në këtë juridiksion do të përfshiheshin edhe vrasjet, torturat si dhe trajtimi mizor e çnjerëzor në vendet specifike të ndalimit që përmenden në raport, kur ato lidhen drejtpërdrejt me operacionet e pretenduara të marrjes së organeve.
Kjo i bie që ligji synon që Speciales t’i hiqet juridiksioni për të ndjekur krimet e tjera të luftës, krimeve kundër njerëzimit apo dhunës politike që nuk kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë.
Po ashtu, një ndryshim tjetër i rëndësishëm ka të bëjë me periudhën kohore. Sipas ligjit fillestar, Gjykata Speciale trajtonte krimet që pretendohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Ligji i propozuar nga PDK-ja, e i miratuar më 6 tetor, e kufizon këtë periudhë nga 1 korriku i vitit 1999 deri më 31 dhjetor 2000.
Po ashtu, me ndryshimet në ligj u kërkua që të trajtohen vetëm krimet që pretendohet se janë kryer në territorin e Kosovës, e jo edhe në veri të Shqipërisë. Të gjitha rastet që nuk parashihen në juridiksionin e Speciale, me ndryshimin e ligjit, synohet të transferohen në Kosovë.
Po ashtu, aty parashihet që rastet që janë në procedurën e Gjykatës Supreme, të transferohen në Kosovë.
Ndryshimet prekin edhe dënimin maksimal për personat që dënohen, duke kërkuar që ajo të jetë deri në 15 vjet burgim.
Po ashtu, të dënuarit nga Gjykata Speciale, sipas ndryshimeve të miratuara më 6 tetor, u mundësohet të jenë subjekt i faljes presidenciale. Por, kjo e fundit bie ndesh me ligjin aktual për faljen, që përjashton të drejtën e kërkimit të faljes presidenciale për vepra të caktuara kundër së drejtës ndërkombëtare, ndërsa Kodi Penal i Kosovës i përfshin krimet e luftës në këtë kategori.
Ligji është kundërshtuar nga komuniteti evropian, që ngriti shqetësime lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe pavarësinë e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
PDK më herët kishte argumentuar se me miratimin e ndryshimeve në ligj nuk do të thotë se anulohen aktgjykimet ekzistuese apo se personat e dënuar lirohen.
Dhomat e Specializuara u krijuan mbi bazën e një ndryshimi kushtetues, ligjit të veçantë dhe zotimeve ndërkombëtare të Kosovës. Ekspertë juridikë kanë paralajmëruar më herët se ndryshimet që prekin mandatin e tyre mund të ngrenë çështje kushtetuese dhe probleme në raport me detyrimet ndërkombëtare të vendit.
Dhomat e Specializuara kanë thënë se nuk janë konsultuar për nismën. Ndërkaq, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se gjykata ka mandat të përcaktuar në bazë të këmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ajo përmes një video-mesazhi ka argumentuar se Gjykata Speciale garanton procese të pavarura dhe të paanshme në shërbim, siç ka thënë ajo, të drejtësisë. Ky deklarim i saj është përballur me kritika në Kosovë.
Burimi: botasot.info
