Ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ka reaguar me ironi ndaj propozim-ligjit të njohur në opinion si “Ligji i Karakamishevës”, i cili parashikon formimin e një Trupi Koordinues pranë Qeverisë për ndjekjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

Duke iu referuar nenit 9, paragrafit 3 të ligjit, Lloga thekson se përbërja e këtij trupi përcaktohet nga vetë Qeveria, ndërsa në të parashihet të marrin pjesë zëvendëskryeministri, disa ministra, drejtori i Agjencisë për Administratë, Avokati i Popullit, kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, dy profesorë universitarë dhe një përfaqësues i sektorit civil.

“Neni 9 i Ligjit, paragrafi (3): Përbërja e Trupit Koordinues përcaktohet nga Qeveria. Trupi udhëhiqet nga zëvendëskryeministri, ndërsa anëtarë janë edhe ministri përgjegjës për administratën publike, ministri përgjegjës për marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve, ministri përgjegjës për financat, ministri përgjegjës për qeverisjen e mirë, drejtori i Agjencisë për Administratë, Avokati i Popullit i Republikës së Magedonisë së Veriut, kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi i Republikës së Magedonisë së Veriut, dy profesorë universitarë dhe një përfaqësues nga sektori civil”.

Sipas kritikave që ka ngritur edhe më parë Lloga, problemi kryesor qëndron në faktin se ligji nuk parasheh kuotë të qartë për përfaqësimin e shqiptarëve, nuk parashikon gjoba në rast të mosrespektimit të përfaqësimit të drejtë dhe, për më tepër, fshin tërësisht etninë si kategori në procedurat e punësimit.

Në këtë mënyrë, sipas tij, mekanizmi që prezantohet si garantues i barazisë institucionale rrezikon të shndërrohet në një trup formal, pa fuqi reale për të mbrojtur përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratë.

Reagimi i Llogës vjen në kohën kur propozim-ligji ka nxitur debate të shumta politike dhe publike, veçanërisht për shkak të shqetësimeve se me këtë zgjidhje ligjore mund të dobësohet edhe më tej mekanizmi i përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.