Sfillare, 24 Maj 2025 – Në një ceremoni solemne dhe përplot emocion, gjatë ditës së djeshme u bë vendosja e shtatores së ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), Gani Alili, në vendlindjen e tij, Sfillare. Ngjarja mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve, bashkëluftëtarë dhe shumë qytetarë që kishin ardhur për të nderuar veprën e tij.

Të pranishëm në ceremoni ishin komandanti i Brigadës 115, Rafis Haliti, deputeti i zonës Blerim Bexheti, kryetari i Komunës së Sarajit Iljas Vesei, si dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës. Mes të ftuarve kishte edhe shumë mysafirë, familjarë dhe bashkëvendës që ndanë kujtime dhe përjetime nga koha e luftës.

Shtatorja e Gani Alilit vjen si një shenjë nderimi për sakrificën dhe kontributin e tij në luftën për liri dhe është një simbol kujtese për brezat e ardhshëm.

Organizatorët theksuan se ruajtja e kujtesës historike dhe vlerësimi i dëshmorëve është një obligim moral dhe kombëtar.