Mot me reshje dhe erëra të forta ka përfshirë edhe Shqipërinë. Plazhet janë boshatisur nga pushuesit për shkak të reshjeve që në orët e para të mëngjesit. Ndërkohë policia e Vlorës apeloi të gjithë pushuesit dhe drejtuesit e mjeteve ujore që të tregohen të kujdesshëm. Në një njoftim thuhet se të gjithë ata pushues, që kishin planifikuar të kryenin ndonjë udhëtim me mjete lundruese turistike, t’i anulojnë ato, pasi dallgët janë rritur dhe kjo përbën rrezik për jetën e tyre. Policia Kufitare e Vlorës dhe Njësia Policore Detare, përgjatë ditës së sotme, kanë kaluar në gatishmëri të plotë dhe do të jenë prezente me shërbime nga toka dhe deti, në funksion të rritjes së sigurisë. /Alsat.mk