Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në një takim joformal të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s, në Pragë, tha se presidenti Joe Biden i ka dhënë leje Ukrainës t’i përdor armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por siç shtoi Blinken, vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin.

“Në javët e fundit, Ukraina erdhi dhe na pyeti për autorizim për përdorimin e armëve me të cilat ne po e furnizojmë atë për t’u mbrojtur kundër këtij agresioni, përfshirë kundër forcave ruse që po mblidhen në pjesën ruse të kufirit nga ku po e sulmojnë Ukrainën. Kjo iu kërkua presidentit, dhe siç keni dëgjuar, ai e ka miratuar përdorimin e armëve për atë qëllim”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.