Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 46 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas dy aksidenteve të rënda zinxhir që përfshinë më shumë se 70 automjete në autostradën Trakia, në Bullgari. Aksidentet ndodhën pranë kryqëzimit të Zimnicës. 10 persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spitale të ndryshme, ku ishin transportuar për të marrë ndihmë mjekësore. Aksidentet ndodhën në të dyja anët e autostradës, në drejtim të Burgasit dhe të Sofjes. Sipas Ministrisë së Brendshme të Bullgarisë, një nga faktorët kryesorë që mund të ketë shkaktuar tragjedinë ishte mjegulla e dendur, e cila kishte ulur ndjeshëm dukshmërinë. Agjencia e Infrastrukturës Rrugore njoftoi se autostrada Trakia pritet të qëndrojë e mbyllur në të dyja drejtimet për një periudhë të gjatë, për shkak të numrit të madh të kamionëve të përfshirë dhe hetimeve për zbardhjen e plotë të ngjarjes./Alsat.mk.
