Sipas pasqyrës të bursës për nëntë muajt e parë të vitit 2026 shtatë banka në vend kanë fituar rreth 151 milionë euro, tregojnë kështu raportet e tyre të pareviduara në Bursën e Maqedonisë. Shtatë nga gjithsej 12 bankat në vend udhëhiqen si shoqëri aksionare që kuotohen në bursë dhe të cilës i dorëzojnë kësi lloj raportesh të cilat i analizoi Kolegium.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas të dhënave të publikuara në bursë për këto shtatë banka, këtë vit, për dallim nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ato kanë fituar 12,9 milionë euro më pak. Në vitin 2025 fitimi i tyre i përgjithshëm për nëntë muajt e parë ka qenë 164 milionë euro.

Raportet financiare të pareviduara të cilat i analizoi Kolegium.mk tregojnë se nga shtatë bankat vetëm NLB Banka dhe Banka Qendrore Kooperative e kanë rritur fitimin. NLB ka fituar 41,1 milionë euro, për dallim nga 40,7 milionë eurot vitin e kaluar, ndërsa Banka Qendrore Kooperative ka regjistruar rritje prej rreth 39 përqind. Rënien më të madhe në euro e ka Stopanska Banka Shkup, fitimi i së cilës ka rënë për pothuajse 12 milionë euro.

Alta Banka Manastir është e vetmja bankë në listë që me pronarin e ri ka kaluar nga fitimi në humbje. Nëntë muajt e parë të vitit 2025, kur funksiononte me emrin Stopanska Banka Manastir, i ka mbyllur me fitim prej rreth 800 mijë eurosh. Në të njëjtën periudhë këtë vit me emër të ri dhe me pronar të ri ka raportuar humbje prej rreth 790 mijë eurosh.

Më 1 nëntor, një muaj pas analizimit të këtyre raporteve, Banka Popullore aplikoi administrim në Alta Manastir dhe e revokoi pëlqimin për pjesëmarrjen e kualifikuar të Alta Beograd në bankën e Manastirit. Në vendim thuhet se kanë ndodhur rrethana që mund ta rrezikojnë rëndë solvencën e bankës në Manastir.

Ndërkohë, përderisa në Serbi është shpallur procedurë falimentimi për “bankën amë” Alta Banka Beograd, në Shkup po rrjedhin afatet që i dha Banka Popullore për shitjen e saj.

“Në kuadër të kompetencave të saj ligjore Banka Popullore vepron në mënyrë adekuate dhe bashkëpunon me institucionet kompetente vendase dhe të huaja, duke i respektuar rregullat ligjore për konfidencialitetin e informacioneve të supervizorëve“, thuhet në një nga njoftimet e saj.

Davor Macura, pronari i Alta Banka Beograd, i cili hyri në tregun e Maqedonisë vitin e kaluar, është biznesmen kontrovers për të cilin besohet se është i afërt me ish-pushtetin e Aleksandër Vuçiqit në Serbi.

Tre nga shtatë banka e kanë pjesën më të madhe të fitimit

Banka Komerciale është e para për nga fitimi në këtë grup me 68,4 milionë euro. Siç publikoi “Pari.mk“ më 30 tetor, banka në fund të shtatorit kishte 3,25 miliardë euro aktivë, nga të cilat 2,77 miliardë euro depozita nga klientët dhe rreth 1,53 miliardë euro kredi dhe kërkesa nga klientët dhe bankat e tjera.

Krahasuar me fundin e vitit 2025 Banka Komerciale ka investuar 12 përqind më shumë para në bono dhe letra me vlerë shtetërore, me çka investimet në letra me vlerë kanë arritur vlerën prej 706 milionë euro.