Festë në VLEN për dërgimin e provimit të jurisprudencës në Komisionin e Venecias. Zyrtarët e partisë shqiptare në pushtet filluan të urojnë në kor dhe ta cilësojnë si ditë historike, kalimin në qeveri të informacionit për modelin i cili parashikon teorinë në shqip e praktikën në maqedonisht. Dy bashkëkryetarët e VLEN-it ua bëjnë përhajër studentëve provimin e jurisprudencës, ani pse qeveria në fakt as nuk e ka miratuar modelin e quajtur në opinion si “pak shqip, pak maqedonisht”, por vetëm ka dhënë dritë jeshile për të udhëtuar në Venecia.

“Premtimi u bë realitet, jurisprudenca flet shqip! Një ditë historike për studentët shqiptarë dhe një hap i rëndësishëm për barazinë dhe dinjitetin e gjuhës shqipe. Fjalët marrin vlerë kur pas tyre qëndrojnë vepra. Sot kemi një arsye më shumë për të festuar! Studentë të dashur, ta gëzoni këtë të drejtë! Gëzuar Festat e Nëntorit”, shkruajnë Izet Mexhiti e Bilall Kasami. 

Me fjalor të njëjtë, e triumfues qytetarëve dhe studentëve u drejtohet edhe i shqiptar me pozitën më të lartë në ekzekutiv. Bekim Sali thotë se po bëhet realitet një e drejtë që shqiptarët e presin tanimë 35 vite.

Më i përmbajtur në festë është ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari. Në njoftimin e publikuar, flet për procedurën e dërgimit dhe shqyrtimit në Venecia. “Vlerësimi i Komisionit të Venecias do të jetë një garanci shtesë që zgjidhja ligjore të mbështetet në Kushtetutë, argumente juridike dhe standarde evropiane”, shkruan Shasivari.

Megjithatë, studentët ua prishën festën zyrtarëve të VLEN-it. Me porosinë, o respektojeni Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve 100%, o qetësi nuk ka, Jon Selimi u kërkon funksionarëve të mos e manipulojnë opinionin me deklarata festive.

“Të mos e ngatërrojmë opinionin publik me deklarata festive. Nuk është realizuar kërkesa jonë, përderisa nuk garantohet i gjithë provimi në gjuhën shqipe. Një zgjidhje e pjesshme, që sipas qëndrimit tonë bie ndesh me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk mund të shitet si barazi dhe as si realizim i një premtimi. Një zgjidhje e kundërligjshme nuk bëhet e ligjshme vetëm pse dërgohet në Venecia! Këtë veprim mund ta trajtojmë lirisht edhe si zvarritje të mëtejshme të procesit”, shkruan Jon Selimi.

Zgjidhja ligjore që pjesa teorike e provimit të jetë në shqip e praktika në maqedonisht, është kundërshtuar në vazhdimësi nga studentët, të cilët disa herë dolën në protesta duke kërkuar që provimi të jepet 100% në shqip. /Alsat.mk