Koalicioni VLEN e konsideron si joserioze dhe vetësabotuese nismën e BDI-së për grumbullimin e nënshkrimeve të deputetëve për ndryshimet kushtetuese, ndërsa thotë se iniciativa më shumë i ngjan një parodie satirike sesa diçka që ia vlen të trajtohet seriozisht.
“BDI ofendon rëndë BE-në dhe shqiptarët kur Blerim Bexheti flet për vlera europiane. E rikujtojmë për opinionin se Blerim Bexheti, si funksionar i përjetshëm i BDI-së, është sinonim i politikës kundër çdo vlere europiane. Si deputet, si kryetar komune dhe mbi të gjitha si Ministër i Drejtësisë, Blerim Bexheti shkaktoi dëme të pariparueshme ndaj interesave të shqiptarëve dhe imazhit proeuropian të vendit”, theksojnë nga VLEN.
Nga ky koalicion theksojnë se nuk do të mbështesin një nismë të tillë, për shkak se konsiderojnë që BDI po tallet me vlerat evropiane.
“VLEN nuk e ka ndërmend të bëhet pjesë e kësaj parodie. Integrimi europian kërkon qasje serioze dhe të sinqertë. Qeveria është e fokusuar në Agjendën Reformuese, e cila po zbatohet me shumë sukses dhe mirënjohje nga Brukseli”, thuhet në reagimin e VLEN-it./koha.mk
