Është arrestuar një 38-vjeçar nga Shkupi, me inicialet B.J., i dyshuar për vrasjen e 38-vjeçarit Edin Shkrijel nga fshati Lubin, trupi i të cilit u gjet më 21 nëntor në unazën e Shkupit, në afërsi të Smillkovcës. Sipas Prokurorisë, pas një mosmarrëveshjeje paraprake përmes një aplikacioni telefonik, i dyshuari është takuar me Shkrijelin dhe ka qëlluar ndaj tij me pistoletë. Plumbi e ka goditur arterien femorale në këmbën e majtë, pas së cilës viktima ka humbur jetën nga gjakderdhja në vendngjarje. I dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe gjatë rrugës është liruar nga arma. Pas arrestimit të tij, Prokuroria ka hapur procedurë hetimore dhe ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.

“Personi është privuar nga liria në lidhje me ngjarjen penale-juridike të datës 21 nëntor të këtij viti, kur pas një denoncimi paraprak në SPB Shkup, në unazën “Nëna Terezë”, në afërsi të Smillkovcës, në rajonin e Shkupit, është gjetur një person pa shenja jete. Zyrtarët policorë të SPB Shkup kanë konstatuar se bëhet fjalë për personin Sh.E. nga fshati Lubin, në rajonin e Shkupit, me ç’rast është vërejtur një plagë nga arma e zjarrit në pjesën e këmbës”, tha Goce Andreevski.