Lopët që prej vitesh enden të pakontrolluara nëpër Kriva Pallankë, duke dëmtuar pronat dhe kulturat bujqësore, pritet të kenë një destinacion të pazakontë: burgjet e Idrizovës dhe Prilepit. Qeveria ka miratuar planin aksional për zgjidhjen e problemit, ndërsa institucionet kanë nisur përgatitjet për zbatimin e tij.
Ministria e Bujqësisë njoftoi se në fazën fillestare bagëtitë e konfiskuara do të vendosen në institucionet ndëshkuese-korrektuese të Idrizovës dhe Prilepit. Njëkohësisht, po shqyrtohet mundësia që një pjesë e tyre t’u jepet në shfrytëzim shoqatave të blegtorëve dhe blegtorëve të rinj. Para ndërhyrjes, do të bëhet hartëzimi i lokacioneve dhe përcaktimi i numrit të bagëtive.
Problemi u rikthye në vëmendje pas protestës së 21 nëntorit, kur banorët kërkuan largimin e rreth 1.000 lopëve që lëvizin pa mbikëqyrje, duke shkaktuar dëme në pronat e tyre. Në procesin e zbatimit të planit janë përfshirë shtatë institucione shtetërore.
Por prapavija e këtij rasti është edhe më e ndërlikuar. Një hulumtim i BIRN-it nga dhjetori i vitit 2025 zbuloi se shteti zyrtarisht i kishte marrë bagëtitë nga blegtori Goce Gjorgjievski dhe tri vajzat e tij rreth një vit e gjysmë më parë, por në terren lopët vazhdonin të endeshin të lira. Një kallëzim policor i vitit 2018 kishte zbuluar dyshime për përfitim të paligjshëm të rreth 70.000 eurove nga subvencionet, me përfshirjen e dyshuar të disa bashkëpunëtorëve.
Pavarësisht procedurave ndër vite, problemi nuk ishte zgjidhur, ndërsa një pjesë e përgjegjësive penale kishte parashkruar pas ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023. Tash, pas protestave të banorëve, institucionet premtojnë ndërhyrje konkrete. Mbetet të shihet nëse kësaj radhe lopët do të largohen përfundimisht nga rrugët e Kriva Pallankës./TV21
