Në fshatin Sfillare të Komunës së Sarajit u përurua sot rruga e re e asfaltuar, një projekt i shumëpritur nga banorët lokalë dhe i premtuar që nga koha kur ish-kryetari i komunës e kishte vënë si prioritet zhvillimin e infrastrukturës në zonë.

Në ceremoninë e përurimit morën pjesë figura të rëndësishme politike, përfshirë kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, dhe kryetarin aktual të Komunës së Sarajit, z. Iljas Veseli. Ish-kryetari i komunës, i cili ka qenë nismëtar i këtij projekti, shprehu mirënjohjen ndaj udhëheqësve të pranishëm dhe të gjithë atyre që kontribuan në realizimin e këtij investimi të rëndësishëm.

“Ky është një hap konkret drejt përmirësimit të kushteve të jetesës dhe zhvillimit të mëtejshëm të infrastrukturës në këtë pjesë të komunës,” u shpreh ai, duke falënderuar gjithashtu banorët e Sfillares për durimin dhe përkrahjen gjatë gjithë procesit.

Asfaltimi i rrugës në Sfillare pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të ndikojë pozitivisht në jetën e përditshme të komunitetit lokal.