Në një postim në Facebook, Gruevski i është drejtuar drejtpërdrejt ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, duke i kërkuar që, në vend se të mbledhë dokumente për ekstradim, të hetojë, sipas tij, “keqpërdorimet, shkeljet ligjore dhe proceset gjyqësore të motivuara politikisht” që janë zhvilluar kundër tij gjatë qeverisjes së kaluar
Ersan PAJAZITI
Shkup, 4 maj – Çështja e ekstradimit të ish-kryeministrit në arrati, Nikolla Gruevski, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes, teksa autoritetet në Shkup po përgatisin një kërkesë të re ndaj Hungarisë. Në të njëjtën kohë, nga Budapesti, vetë Gruevski ka reaguar ashpër, duke sfiduar institucionet dhe duke hedhur akuza të rënda për procese të montuara gjyqësore ndaj tij. Ministria e Drejtësisë është në fazën përfundimtare të kompletimit të dokumentacionit për ekstradimin e tij, ndërsa ish-kryeministri, i cili pas arratisjes përfitoi azil politik në Hungari, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me zhvillimet e fundit.
Në një postim në rrjetet sociale, Gruevski i është drejtuar drejtpërdrejt ministrit të Drejtësisë, Igor Filkov, duke i kërkuar që, në vend se të mbledhë dokumente për ekstradim, të hetojë, sipas tij, “keqpërdorimet, shkeljet ligjore dhe proceset gjyqësore të motivuara politikisht” që janë zhvilluar kundër tij gjatë qeverisjes së kaluar. Ai ka drejtuar akuza edhe ndaj ish-kryeministrit dhe ish-liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, duke pretenduar se gjatë mandatit të tij është ushtruar presion sistematik mbi sistemin e drejtësisë. Sipas Gruevskit, dëshmitarët janë shantazhuar, avokatët janë detyruar të tërhiqen, ndërsa aktakuzat janë ndërtuar mbi, siç thotë ai, “premisa të rreme”. Në reagimin e tij, ai i referohet disa prej rasteve më të njohura gjyqësore ndaj tij, përfshirë “Dhunë në Qendër”, “Parcelat në Vodno”, si dhe çështjen e blerjes së automjetit të blinduar dhe projektin e autostradës Kërçovë–Ohër. Ai këmbëngul se vendimet gjyqësore janë marrë nën ndikim politik dhe se gjykatat kanë refuzuar të dëgjojnë dëshmitarët e mbrojtjes.
Ndërkohë, në Shkup, institucionet po intensifikojnë përpjekjet për rikthimin e tij në vend. Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ka bërë të ditur se pritet formimi i qeverisë së re në Hungari, pas së cilës pala maqedonase do të njoftojë zyrtarisht Budapestin për interesin e ri për ekstradim.
Zhvillimet në Hungari mund të kenë ndikim kyç në këtë proces. Kryeministri i ardhshëm hungarez, Peter Magyar, ka paralajmëruar se vendi i tij nuk do të jetë “strehë për kriminelë të huaj”, duke lënë të hapur mundësinë për rishqyrtimin e statusit të Gruevskit. Në anën tjetër, nga LSDM vlerësojnë se qeveria aktuale po përdor çështjen e Gruevskit për interesa politike. Sipas tyre, kryeministri Hristijan Mickoski synon të përmirësojë imazhin e tij para Bashkimit Evropian përmes dy hapave, ndryshimeve kushtetuese dhe arrestimit të ish-kryeministrit. Nëse ekstradohet, Gruevski pritet të vuajë një dënim me burg prej dhjetë vjet e gjysmë për rastet “Dhunë në Qendër” dhe “Parcelat në Vodno”, ndërsa ndaj tij vazhdojnë edhe procese të tjera në mungesë, përfshirë “Titanik” dhe “Talir 2”.
