Nga 1 dhjetori hyjnë në fuqi kriteret e reja për marrjen e pushimit mjekësor në Maqedoninë e Veriut. Mjekët amë do të mund të japin pushim deri në pesë ditë pa kritere shtesë diagnostikuese, ndërsa për vazhdimin e tij do të kërkohen analiza shtesë ose kontrolle specialistike, varësisht nga sëmundja.
Fondi për Sigurim Shëndetësor sqaron se kjo nuk nënkupton se pacientët duhet patjetër të kthehen në punë pas ditës së pestë. E drejta për pushim mjekësor nuk hiqet.
Mjekët amë do të vazhdojnë të kenë të drejtë të miratojnë pushim mjekësor deri në 15 ditë, ndërsa për periudha më të gjata vendos komisioni mjekësor. Në rastet kur gjendja shëndetësore e kërkon, do të mund të lëshohet udhëzim prioritar për kontroll më të shpejtë specialistik.
Për pushimet mjekësore që zgjasin mbi 60 ditë, si rregull, do të kërkohet mendim konsiliar nga tre specialistë. Për disa sëmundje të rënda parashikohen përjashtime, ndërsa pacientët kronikë do të mund të përdorin edhe rezultatet e mëparshme diagnostikuese, nëse janë të përshtatshme.
Mjekët kanë kërkuar sqarime shtesë për zbatimin e rregullores, veçanërisht në rastet kur pacientët nuk mund të sigurojnë me kohë termin te specialisti.
Fondi ka paralajmëruar punëtori për mjekët amë më 19 dhe 20 nëntor, ndërsa më 20 nëntor do të organizohet edhe debat publik për kriteret e reja./4NEWS.mk
