Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme që u mbajt në Budva të Malit të Zi, ka takuar homologen e tij nga Kosova Donika Gërvalla.
Fqinjësia e mirë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, siç ka shkruar ministrja Gërvalla, është një vlerë që Republika e Kosovës e çmon dhe për të cilën angazhohet vazhdimisht, ndërkohë që thellimi i kësaj fqinjësie përmes bashkëpunimit konkret ndërinstitucional ishte edhe në fokus të takimit dypalësh me Ministrin e Drejtësisë të Maqedonisë së Veriut, z. Jeton Shasivari.
Në këtë drejtim, ka shtuar Gërvalla, theksuam rëndësinë e shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira institucionale, si dhe krijimit të mundësive edhe për studentët dhe praktikantët e fushës së drejtësisë që të përfitojnë nga përvojat e ndërsjella.
Në fund të takimit, siç ka postuar Gërvalla në rrjetet sociale, ministri Shasivari i ka ndarë dhuratë – një pllakë me “Urën e Gurit” si sinonim i Shkupit, megjithatë shënimi në këtë pllakatë duket se është vetëm në maqedonisht dhe anglisht, pa gjuhën shqipe.
Me këtë rast, ka reaguar zëdhënsja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli, ndërsa ka akuzuar ministrin Shasivari se, nuk e përjashton shqipen vetëm nga provimi i Jurisprudencës. “Ai paska vendosur ta përjashtojë edhe nga dhuratat zyrtare”.
Postimi i plotë i Arta Bilalli Zendeli:
Jeton Shasivari nuk e përjashton shqipen vetëm nga provimi i Jurisprudencës. Ai paska vendosur ta përjashtojë edhe nga dhuratat zyrtare!
Ministri i Drejtësisë, homologes së tij nga Kosova, Donika Gërvalla, i dhuron një pllakë me Urën e Gurit të Shkupit, me mbishkrim në maqedonisht dhe anglisht, por pa gjuhën shqipe.
Paramendojeni ironinë: një ministër shqiptar, nga një shtet ku shqipja është gjuhë zyrtare, takon një përfaqësuese të Republikës së Kosovës, ku shqipja është gjuhë zyrtare, dhe mes tyre e vetmja gjuhë që mungon është SHQIPJA!
Kjo nuk është më gabim protokolli. Është çështje dinjiteti – përbuzje që përsëritet aq shpesh, sa vështirë të besohet se është rastësi.
P.S. Kush e di çfarë sjell e ardhmja, por edhe sikur Komandanti Legjendar – Adem Jashari të ngrihej nga varri e ta lavdëronte, ky palaço politik nuk do të rehabilitohej dot për gjithë atë që po i bën shqipes!


