Derisa partitë shkëmbejnë akuza për zgjedhje, banka, lidhje politike dhe përgjegjësi penale, studentët shqiptar vazhdojnë të presin përgjigjen që kërkuan që në fillim: a do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe?
Xhenur ISENI
Shkup, 7 nëntor – Një provim që duhej të zgjidhte një kërkesë të kahershme të studentëve shqiptarë po shndërrohet në një përplasje të re politike, me akuza për skenarë zgjedhorë, pazare brenda Qeverisë dhe lidhje të dyshuara me struktura të Serbisë. Në qendër të debatit është provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe, por përplasja tashmë ka dalë shumë përtej kësaj çështjeje. LSDM akuzon kreun e ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, se po krijon tensione artificiale në koalicionin qeverisës për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. ZNAM i hedh poshtë akuzat dhe këmbëngul se provimi duhet të jepet në maqedonisht, ndërsa VMRO-DPMNE e akuzon opozitën për përhapje paniku lidhur me Alta Bankën e kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë.
Në këtë përplasje, gjuha e provimit të jurisprudencës është kthyer në vijë ndarëse mes partnerëve qeveritarë, ndërsa opozita pretendon se pas debatit qëndron një llogari shumë më e madhe politike. Sipas LSDM-së, përmes kundërshtimeve të ZNAM-it po ndërtohet një arsyetim për zgjedhje të parakohshme, në një kohë kur Qeveria, siç pretendon kjo parti, po përballet me probleme financiare dhe me çështjen e Alta Bankës. Nga ana tjetër, ZNAM mohon se qëndrimi i saj për gjuhën maqedonase ka lidhje me ndonjë skenar zgjedhor dhe kërkon që akuzat për lidhje të dyshimta të mbështeten me prova.
Përplasja është ashpërsuar edhe më shumë pas akuzave të LSDM-së për kontakte të pretenduara ndërmjet Dimitrievskit dhe ish-zyrtarit të lartë serb Aleksandar Vulin. Ndërkohë, VMRO-DPMNE ka hyrë në debat me akuza të drejtpërdrejta ndaj udhëheqjes së LSDM-së, duke pretenduar se opozita po përpiqet të krijojë pasiguri te qytetarët përmes informacioneve të pavërteta.
DIMITRIEVSKI PO I PËRGATIT ALIBI MICKOSKIT PËR ZGJEDHJE
Nga LSDM pretendojnë se kundërshtimet e ZNAM-it lidhur me dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk janë rastësi, por pjesë e një skenari politik për të krijuar përshtypjen e përçarjeve brenda koalicionit qeverisës. Sipas partisë opozitare, qëllimi është që kryeministrit Hristijan Mickoski t’i krijohet një arsyetim politik për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e larguar njëkohësisht vëmendjen nga problemet ekonomike. “Provimi i jurisprudencës tani po shtyhet si temë për një përplasje të supozuar në koalicion. Qëllimi është të krijohet përshtypja e tensioneve dhe të hapet rruga për zgjedhje të parakohshme. Të mos pranohet se stabiliteti financiar është rrezikuar për shkak të Alta Bankës dhe se nuk ka para në buxhet”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Socialdemokratët vlerësojnë se Dimitrievski e ka humbur kredibilitetin politik dhe se nuk përfaqëson më platformën me të cilën kishte dalë para votuesve. Ata e akuzojnë Qeverinë edhe për rezultate të dobëta ekonomike, izolim diplomatik dhe mungesë transparence lidhur me situatën financiare. Sipas pretendimeve të LSDM-së, gjendja e Alta Bankës është shqetësuese, kursimtarët përballen me pasiguri dhe ndërmarrjet publike mund të jenë të ekspozuara ndaj rreziqeve.
Pjesa më e ashpër e reagimit të LSDM-së lidhet me kontaktet e pretenduara të Maksim Dimitrievskit me Aleksandar Vulinin, ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe ish-ministër serb. Nga kjo parti kërkojnë që Dimitrievski të sqarojë nëse ka pasur takime me Vulinin dhe çfarë lidhjeje mund të kenë pasur ato me Alta Bankën. “Por, para përpjekjes për t’i siguruar Mickoskit alibi për zgjedhje, Makso duhet të përgjigjet pse ka pasur takim me Vulinin – ish-drejtor i BIA-s, ish-ministër i Mbrojtjes dhe i Policisë – lidhur me Alta Bankën. Cili ka qenë roli i Maksimit për BIA-n serbe dhe Alta Bankën? A ishte edhe Makso një nga lobistët për atë që ne e konsiderojmë skemë të pastrimit të parave nga krimi dhe korrupsioni e lidhur me Vuçiqin?”, pyesin nga LSDM.
Partia opozitare kërkon përgjigje për natyrën e kontakteve të pretenduara dhe paralajmëron se nuk do të pranojë që, sipas saj, debatet politike të përdoren për të shmangur përgjegjësinë për gjendjen ekonomike. “Nuk do të ketë kurrfarë alibie. Ka pyetje. Dhe do të ketë përgjegjësi”, porosisin nga LSDM.
GJUHA MAQEDONASE NUK ËSHTË MALL PËR PAZARE POLITIKE
Lëvizja ZNAM – Për Maqedoninë Tonë ka reaguar duke i hedhur poshtë akuzat e LSDM-së dhe kritikat e Aleancës për Shqiptarët ndaj kryetarit të saj, Maksim Dimitrievski. Nga kjo parti vlerësojnë se kundërshtarët politikë po përdorin fyerje dhe diskreditime personale në vend të argumenteve, duke përmendur edhe cilësimin “patriot me bateri”. “Kur nuk ka argumente për thelbin e çështjeve, duket se mbeten vetëm fyerjet dhe përpjekjet për diskreditim politik. Cilësimi ‘patriot me bateri’ flet më së miri për kulturën politike të atyre që e përdorin, por jo për Maksim Dimitrievskin”, thuhet në reagimin e ZNAM-it.
Partia rikujton se Dimitrievski, para zgjedhjeve lokale të vitit 2017, kishte hequr dorë nga mandati i deputetit për të kandiduar për kryetar të Kumanovës, ndryshe nga disa funksionarë të atëhershëm të LSDM-së që, sipas ZNAM-it, i kishin ruajtur mandatet parlamentare si mundësi rezervë.
Por mesazhi kryesor i ZNAM-it lidhet me provimin e jurisprudencës. Partia përsërit se mbetet kundër dhënies së tij në gjuhën shqipe dhe kërkon që provimi të zhvillohet në maqedonisht. “Qëndrimi ynë për provimin e jurisprudencës është i qartë: ai duhet të jepet në gjuhën maqedonase, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Gjuha maqedonase nuk është objekt i pazareve politike dhe kalkulimeve të koalicionit. ZNAM është e gatshme për bisedime me partnerët qeveritarë, por nuk do të heqë dorë nga parimet e veta”, theksohet në kumtesë.
Duke iu përgjigjur pretendimeve për kontakte me Vulinin, lobim dhe lidhje me Alta Bankën, ZNAM kërkon që opozita të paraqesë fakte dhe dokumente konkrete. Sipas kësaj partie, nëse ekzistojnë prova për veprime të paligjshme, ato duhet t’u dorëzohen institucioneve kompetente, ndërsa akuzat serioze nuk duhet të përdoren për përplasje të përditshme politike. “ZNAM nuk hap çështje për gjuhën maqedonase për t’i siguruar alibi kujtdo qoftë, por sepse kjo është çështje me rëndësi thelbësore për shtetin”, theksojnë nga partia.
ZNAM ka përsëritur edhe qëndrimin për integrimin evropian, duke mbështetur anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por duke kundërshtuar lëshimet e njëanshme ndaj Bullgarisë pa reciprocitet. Partia mbetet në propozimin për ndryshime kushtetuese me efekt të shtyrë dhe kërkon respektimin e të drejtave të maqedonasve në Bullgari.
Nga ZNAM janë përgjigjur edhe ndaj pretendimeve për rënien e mbështetjes së tyre politike. Ata rikujtojnë se në zgjedhjet e vitit 2024 kishin fituar 56.232 vota, përkatësisht 5,59 për qind dhe gjashtë mandate deputetësh.
LSDM PO PËRHAP PANIK, TË REAGOJË PROKURORIA
Në përplasjen politike është përfshirë edhe VMRO-DPMNE. Deputeti i kësaj partie, Brane Petrushevski, në një konferencë për shtyp ka akuzuar LSDM-në se gjatë dy viteve të fundit ka përhapur informacione të pavërteta, duke nxitur panik dhe mosbesim ndaj institucioneve. Sipas tij, udhëheqja e LSDM-së, në krye me Venko Filipçen, po përpiqet të krijojë një perceptim negativ për gjendjen në vend për shkak të problemeve të brendshme partiake. “Drejtuesit e LSDM-së tashmë e kanë kaluar kufirin. E vetmja gjë që bëjnë gjatë dy viteve të fundit është përhapja e panikut mes qytetarëve, përpjekja për të krijuar mosbesim ndaj institucioneve, si dhe histeri e kaos në shoqëri. Për shkak të problemeve të brendshme në parti, Filipçe i gënjen qytetarët dhe përpiqet të krijojë perceptimin se gjërat nuk po shkojnë mirë”, deklaroi Petrushevski. Ai përmendi disa raste që, sipas tij, dëshmojnë përhapjen e pretendimeve të pabazuara nga opozita.
Mes tyre përfshiu paralajmërimet për ardhjen e migrantëve nga Mbretëria e Bashkuar, pretendimet për pezullimin e programit IPARD, vlerësimet për raportin e eurodeputetit Tomas Vajc dhe deklaratat se pensionet nuk do të paguheshin. Petrushevski pretendon se zhvillimet e mëvonshme i kanë përgënjeshtruar këto paralajmërime, duke theksuar se programi IPARD ka vazhduar të funksionojë, bujqit kanë marrë mbështetje financiare dhe pensionet janë paguar rregullisht. Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit pensionet janë rritur për mbi 7.500 denarë.
Deputeti i VMRO-DPMNE-së iu referua edhe kritikave të opozitës për kredinë hungareze, duke pretenduar se ajo ka mundësuar financimin e projekteve infrastrukturore dhe kredi më të favorshme për kompanitë. “Përhapën histeri edhe për kredinë hungareze, përmes së cilës komunat morën mjete për shkolla, kopshte, spitale dhe rrugë të reja, ndërsa kompanitë kredi të favorshme për bizneset e tyre. Enti Shtetëror i Revizionit konstatoi qartë se nuk ka keqpërdorime me këtë kredi, ndërsa funksionarët hungarezë konfirmuan se bëhet fjalë për kushte jashtëzakonisht të favorshme”, deklaroi Petrushevski.
Ai kritikoi LSDM-në se nuk ka kërkuar falje për pretendimet që, sipas tij, janë përgënjeshtruar. Por pjesa më e rëndë e deklaratës së deputetit lidhej me kërkesën për ndërhyrjen e Prokurorisë Publike. Petrushevski vlerësoi se veprimet e funksionarëve të LSDM-së mund të përbëjnë vepër penale të sabotimit, duke iu referuar nenit 315 të Kodit Penal dhe duke kërkuar që Prokuroria të hapë lëndë sipas detyrës zyrtare.(koha.mk)
