“Mirëmëngjes të gjithëve! Vazhdoj t’ju dua shumë!”. Me këto dy fjali ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, e nisi mëngjesin e sotëm në rrjetet sociale, në një postim që menjëherë tërhoqi vëmendjen e opinionit publik, shkruan gazeta KOHA.
Postimi u shoqërua me këngën patriotike “Shqipëri, nënë e madhe – përjetësisht me ty”, ndërsa duket se është përgjigje indirekte ndaj sulmeve të ashpra që zyrtarë të VLEN-it adresuan një ditë më parë kundër Tiranës zyrtare.
Gjatë deklarimeve dhe reagimeve të djeshme, eksponentë të VLEN-it përdorën tone të rënda ndaj institucioneve shqiptare, duke e quajtur Shqipërinë “shtet narkotrafik”, “shtet që mbron krimin dhe korrupsionin” dhe madje edhe “shtet përçarës”.
Përplasja verbale erdhi pasi në emisionin satirik “Portokalli” në Top Channel, kori i spektaklit ironizoi përfaqësuesit shqiptarë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, duke i quajtur “kopukë” që, sipas tyre, nuk po bëjnë asgjë për çështjen e gjuhës shqipe dhe provimit të Jurisprudencës në shqip.
Kaq mjaftoi që reagimet politike të eskalojnë, duke kaluar nga kritikat ndaj një emisioni humoristik në sulme të drejtpërdrejta ndaj Tiranës zyrtare.
Dhe, pa përmendur askënd drejtpërdrejt, ambasadori zgjodhi gjuhën e butë dhe një këngë me përmbajtje patriotike, duke lënë hapësirë për interpretime të shumta në opinion. (koha.mk)
