Krahasuar me vitin 2024 vitin e kaluar rritje kanë shënuar të gjitha llojet e pushimit mjekësor, konstatoi Fondi i Sigurimeve Shëndetësore (FSSH) në raportin vjetor për vitin 2025, disa muaj pasi Sasho Klekovski, drejtor i Fondit, njoftoi se kishte keqpërdorime dhe njoftoi për një revizion të kritereve për pushim mjekësor, raporton Kolegium, transmeton Portalb.mk.
Vitin e kaluar, krahasuar me një vit më parë, pushimet mjekësore për shkak të sëmundjes kanë shënuar një rritje prej 4,8 përqind, mungesat nga puna për shkak të përkujdesjes për një anëtar të familjes kanë qenë për 3,8 më shumë, ndërsa sëmundjet profesionale dhe lëndimet në punë kanë shënuar një rritje prej 2,2 përqind.

Ose, në nivel të shtetit në vitin 2025 në çdo një mijë punonjës të siguruar 41 të siguruar e kanë shfrytëzuar të drejtën e pushimit mjekësor në kurriz të Fondit. Punonjësit e siguruar pushimin mjekësor më shumë e kanë shfrytëzuar për shkak të sëmundjes, që përbën 74 përqind të pushimeve mjekësore të përgjithshme. Pas kësaj vjen përkujdesja për një anëtar të familjes (24 përqind).
Si pasojë e kësaj është rritur edhe shuma të cilën e ka paguar Fondi për këtë qëllim. Shpenzimet për pushime mjekësore në vitin 2025 janë më të larta për 22,9 përqind ose për rreth 318,7 milionë denarë.

E ndryshojnë mjekun amë nëse nuk u shkruan diagnozë të rreme
“Jemi lodhur duke kryer kontrolle të vazhdueshme me kërkesë të kompanive ose institucioneve për kontrollin e pushimeve mjekësore”, tha Klekovski në një konferencë për shtyp, duke i shpjeguar “skemat” e keqpërdorimeve të mungesave nga puna për shkak të pushimeve mjekësore.
Keqpërdorimet më të shpeshta janë të ashtuquajturat pushime mjekësore “zig-zag”, pra rastet kur punonjësit marrin pushim të shkurtër mjekësor, kthehen në punë një ditë për ta shmangur kontrollin, ndërsa pastaj hapin pushim të ri mjekësor mbi një bazë tjetër.
Gjatë kontrolleve, Fondi ka zbuluar edhe raste në të cilat të siguruarit e ndryshojnë mjekun e tyre amë nëse ai refuzon t’u hapë pushim të ri mjekësor. Klekovski përmendi si shembull rastin e një të siguruari i cili kishte ndryshuar katër mjekë amë brenda një viti e gjysmë.
Ose, një punonjës ka marrë pushim mjekësor, ndërsa në të njëjtën kohë në rrjetet sociale ka publikuar foto dhe video duke shëtitur jashtë vendit.
Mjekët amë kanë standarde të përcaktuara qartë për atë se si mund të japin pushime mjekësore. Por, krahas sëmundjeve akute të frymëmarrjes, pothuajse gjysma e pushimeve mjekësore në Fond janë për sëmundje të shtyllës kurrizore, për spondilozë ose lumbago.
Në MPB nga 514 pushime mjekësore, 100 kanë qenë të parregullta
Veçanërisht shqetësuese është situata në të ashtuquajturit sektorë “me uniformë”, siç janë policia, mbrojtja dhe shëndetësia. Në gjysmën e dytë të vitit 2025 gjithsej 80 punonjës me sigurim shëndetësor nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) kanë shfrytëzuar 514 pushime mjekësore, tregojnë të dhënat nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. Numri më i madh i pushimeve mjekësore kanë zgjatur deri në shtatë ditë, 171 deri në 15 ditë, ndërsa 83 kanë zgjatur më shumë se 30 ditë.
Gjatë kontrolleve parregullsi janë konstatuar tek 29 persona, ose tek rreth 37 përqind e rasteve të analizuara. Këta persona kanë shfrytëzuar gjithsej 236 pushime mjekësore, nga të cilat 100 janë vlerësuar si të lëshuara në mënyrë të parregullt, ndërsa 136 të tjerat kanë qenë të arsyetuara. Kjo do të thotë se kontestuese kanë qenë një e pesta e numrit të përgjithshëm të pushimeve mjekësore.
Kontrolle janë kryer edhe në 105 organizata shëndetësore private, shumica e të cilave janë ordinanca të mjekësisë së përgjithshme. Parregullsi janë konstatuar edhe tek 29 institucione, si dhe tek disa specialistë dhe komisione në sektorin publik. Për parregullsitë e identifikuara janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 1,2 milion denarë.
Sipas informacioneve përqindje të lartë e pushimeve mjekësore ka edhe në institucionet shëndetësore publike, ku në klinika të caktuara në pushim mjekësor për shkak të sëmundjes janë rreth 20 përqind e punonjësve.
Për t’i parandaluar keqpërdorimet FSSHRMV do të bëjë ndryshime në rregulloren për pushime mjekësore, me ç’rast do të përfshihen edhe mjekët amë që janë përgjegjës për menaxhimin e pushimeve mjekësore, sindikatat dhe punëdhënësit, si dhe shoqatat e pacientëve.
Rregullat për pushim mjekësor nuk janë ndryshuar të paktën dhjetë vjet
Problem kyç është se nuk ka një sistem të integruar për ndjekjen e pushimeve mjekësore, gjë që e vështirëson zbulimin në kohë të keqpërdorimeve të mundshme. Për momentin Fondi mund të kryejë kontrolle vetëm me kërkesë të punëdhënësve, siç ishte rasti me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Doganat dhe Ushtrinë, ku gjithashtu u kryen kontrolle në një shkallë më të vogël.
Një motivim shtesë për marrjen e pushimeve mjekësore janë edhe marrëveshjet kolektive në këto sektorë të cilat parashikojnë pagesën e 90 deri në 100 përqind të pagës gjatë pushimit mjekësor, që do të thotë se punonjësit, pavarësisht nëse janë apo nuk janë në punë, e marrin pagën. Element tjetër janë pagat e ulëta në disa institucione në sektorin publik, prandaj punonjëst marrin pushim mjekësor që të mund të punojnë një punë të dytë.
Kompensimi për 30 ditët e para të pushimit mjekësor paguhet nga punëdhënësi, ndërsa nëse ai tejkalon 30 ditë, atëherë mbulohet nga FSSHRMV. Përjashtimet kur kompensimi nga dita e parë mbulohet nga Fondi janë kur punonjësi merr pushim mjekësor mbi bazë të përkujdesejes për një fëmijë të sëmurë në moshë deri në tre vjet, kur dhurohet gjak, ind ose organ, dhe gjatë shtatzënisë, lindjes ose lehonisë.
