Nga Suad Saliu
Kur u paraqit Lëvizja Besa në vitin 2015, doli me platformën “Ridefinimi”. Atëherë thoshin se Maqedonia kishte krijuar definicione të gabuara për shtetin dhe se këto definicione kishin prodhuar diskriminim ndaj shqiptarëve.
Në atë platformë shkruhej se BESA kërkon që Maqedonia të ridefinohet si shtet i përbashkët i shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe mbi këtë përkufizim të ndërtohet edhe shteti.
Por, pas gjithë atyre fjalëve të mëdha, definimi i vetëm që bënë ishte të bëhen vazalë të pushtetmbajtësve, herë të VMRO-së e herë të LSDM-së.
Pastaj, në vitin 2017, erdhi letra higjienike e rradhës, “Korabi 2030”. Bilall Kasami shfaqej me helmetë të verdhë ndërtimtari, duke premtuar investitorë nga Sllovenia për ta ringjallur Kodrën e Diellit. Edhe aty, në fund, gjëja më konkrete që mbeti ishte kryqi në Kodër të Diellit, si peshqesh për përkrahjen që morën nga VMRO-ja.
Tani, pas gjithë këtyre viteve, na dalin me “Agjendë Kombëtare 2036”.
VLEN si koalicion funksionon prej së paku tre vitesh. Dy vite janë në pushtet. Tani e formuan edhe partinë e tyre. Dhe vetëm tani iu kujtua se duhet manifest politik?
Manifesti politik nuk është dekor për konferencë shtypi. Nuk është dokument që shkruhet pasi i merr postet. Manifesti është fryma që e udhëheq një parti. Është ideali mbi të cilin frymëzohen aktivistët, sakrifikojnë krerët, mobilizohet populli, ndërtohet besimi dhe kërkohet vota.
Manifesti është arsyeja pse një konstrukt politik duhet të ekzistojë.
Ai bëhet në fillim, jo në fund. Para pushtetit, jo pasi rehatohet pushteti.
Por, nejse. Qoftë para, qoftë në fund, njeriu normal nuk pret më asgjë prej këtyre.
Sepse ata që dje premtuan “Ridefinim”, sot e kanë përfunduar vetë ridefinimin e tyre: nga opozitë shqiptare në dekor të VMRO-së.
Njëherë mashtrues, gjithmonë mashtrues!
