Gjatë mbrëmjes së djeshme, në lagjen Kozle të Shkupit, u kap një ujk që lëvizte lirshëm me një zinxhir dhe rrip rreth qafës. Kopshti Zoologjik i Shkupit thotë se është kafshë e egër që dikush e mbante ilegalisht si kafshë shtëpiake. Pas raportimit nga qytetarët e shqetësuar, pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme ndërhynë fillimisht në terren, dhe menjëherë pas kësaj, ekipet e ekspertëve nga Kopshti Zoologjik dhe përfaqësuesit e Qytetit. Kafsha u kap me sukses dhe u transportua në mënyrë të sigurt në ambientet e Kopshtit Zoologjik të Shkupit, transmeton Portalb.mk.

Kopshti Zoologjik informon se ujku aktualisht është nën kujdes dhe do t’i ofrohet kujdesi i duhur.

“Ujku do të jetë në karantinë për periudhën në vijim nën mbikëqyrje të vazhdueshme shëndetësore nga ekspertët. Për fat të mirë, situata përfundoi pa pasoja sepse është një kafshë e zbutur dhe paqësore”, thotë Kopshti Zoologjik i Shkupit.

Ata i bënë thirrje publikut se mbajtja e kafshëve të egra në robëri është e ndaluar dhe jashtëzakonisht e rrezikshme, sepse ato kanë instinktet e tyre natyrore që nuk mund të plotësohen në kushte shtëpiake.

“Ujqërit nuk janë kafshë shtëpiake dhe nuk duhet të mbahen në robëri dhe në kushte të papërshtatshme”, deklaruan nga Kopshti Zoologjik i Shkupit.

Kryetari i  Qytetit Orce Gjorgjievski reagoi gjithashtu ndaj situatës me ujkun, duke dënuar papërgjegjshmërinë e individëve që kërcënojnë rendin publik dhe sigurinë e qytetarëve.

“Nuk mund ta besoj që ka individë kaq të pamatur që i trajtojnë kafshët e egra në këtë mënyrë. Kjo nuk është vetëm papërgjegjshmëri, por rrezik serioz për të gjithë mjedisin. Pres që institucionet të marrin të gjitha masat e nevojshme dhe ta sqarojnë plotësisht rastin”, shkroi Gjorgjievski në profilin e tij në Facebook.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë menjëherë çdo mbajtje të paligjshme të kafshëve të egra, në mënyrë që të parandalohen incidente të ngjashme në të ardhmen.

Mbrëmë qytetarët e lagjes e raportuan rastin pasi vërejtën ujkun duke lëvizur në bulevardin “Teodosij Gologanov” në Shkup. Policët e kapën ujkun dhe e lidhën për një shtylle në një vendparkim.

​Siç njoftojnë për “SAKAMDAKAZHAM.MK” qytetarët që jetojnë në ndërtesat përreth, ujku kishte një zinxhir të gjatë rreth 2 metra.